Prokuroria propozon paraburgim shtëpiak për Artan Grubin
Prokuroria Themelore Publike Shkup njoftoi se i dyshuari i dytë në rastin “Lotaria Shtetërore”, Artan Grubi, është paraqitur vullnetarisht para organeve të ndjekjes dhe ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me institucionet kompetente, prandaj Prokuroria ka propozuar zëvendësimin e paraburgimit me arrest shtëpiak dhe marrjen e dokumentit të udhëtimit, duke theksuar se shumica e provave tashmë janë siguruar, se ai është paraqitur vullnetarisht dhe se ekzistojnë indikacione për rrezikim të sigurisë së tij personale në paraburgim, si dhe të anëtarëve të familjes së tij.
“Pas marrjes së njoftimit se i dyshuari i dytë është paraqitur vullnetarisht dhe ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim, procedura ndaj tij do të vazhdojë me qëllim marrjen e një vendimi prokurorial”, thuhet në njoftim.
Me kërkesë të mbrojtjes së tij, Grubi gjatë ditës së sotme është paraqitur para prokurorit kompetent për të kryer shqyrtimin e dosjes. Për shkak të vëllimit të madh të materialit provues, shqyrtimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, pas së cilës do t’i mundësohet të japë mbrojtjen e tij. /VOXAL/