Sërish përmbytje në Kërçovë, 270 të evakuuar dhe 365 familje të dëmtuara
270 persona janë evakuuar dhe 365 familje nga Kërçova janë evidentuar me dëme materiale pas përmbytjeve të fundit të shkaktuara nga reshjet intensive të shiut. Vërshimet kanë shkaktuar dalje të ujërave nga shtrati dhe përmbytje të shumë shtëpive, duke detyruar dhjetëra familje të largohen përkohësisht nga banesat e tyre.
Sipas të dhënave të Kryqit të Kuq , nga të evakuuarit 79 janë fëmijë, 191 të rritur dhe 11 persona me aftësi të kufizuara. Për të prekurit është siguruar strehim i përkohshëm, ushqim, ujë dhe ndihmë bazë, ndërsa ekipet në terren po vazhdojnë evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve.
Sipas raportit të fundit të Qendrës për Menaxhimin e Krizave, deri në orën 10:30, reshjet e shiut dhe borës gjatë 24 orëve të fundit kanë sjellë rritje të niveleve të lumenjve edhe në disa rajone të tjera të vendit. Në rajonin e Kumanovës, Likovës dhe Staro Nagoriçanit raportohet rritje e niveleve të ujërave, por pa rrezik aktual për përmbytje, ndërsa rritje pa derdhje nga shtrati është regjistruar edhe në Kratovë.
Në rajonin e Pellagonisë është raportuar rrëshqitje dheu në aksin magjistral E-65 në zonën e Manastirit dhe rritje e nivelit të lumenjve, ndërsa autoritetet bëjnë të ditur se monitorimi dhe ndërhyrjet në terren po vazhdojnë.VOXAL

