Komuna me të dhëna: Mbi 30 shtëpi të vërshuara në Saraj
Pas analizimit të gjendjes në terren, në mbledhjen e Shtabit të Krizave, kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, njoftoi se më shumë se 30 shtëpi janë kapluar nga uji. Ai theksoi se ekipet emergjente kanë ndërhyrë me intensitet të lartë dhe se të gjitha objektet e prekura tashmë janë pastruar.
Në kuadër të Shtabit të Krizave janë angazhuar disa institucione dhe struktura, përfshirë Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Qendra për Menaxhim me Kriza, njësitë e zjarrfikësve nga Tetova, Brigada e Zjarrfikësve e Qytetit të Shkupit, Ndërmarrja Publike Ujësjellës dhe Kanalizim – Shkup, ekipe nga Gjorçe Petrov, NPK Saraj si dhe Komandanti i Njësisë Policore Saraj.
Elmazi ka falënderuar të gjitha institucionet dhe ekipet për angazhimin profesional, të përkushtuar dhe solidar në përballimin e situatës.
Gjatë takimit janë diskutuar edhe hapat e mëtejmë për sanimin e plotë të pasojave, mbështetjen e familjeve të prekura dhe masat parandaluese për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.
Institucionet dhe shërbimet kompetente mbeten në gatishmëri të plotë, ndërsa Komuna do të vazhdojë të informojë qytetarët për çdo zhvillim të ri.