Zëvendës kryeministri Sali në terren pas përmbytjeve në Saraj, formohet Shtabi i Krizës
Reshjet intensive të shiut që përfshinë disa zona të Komunës së Sarajit kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme në infrastrukturë, duke vështirësuar jetën e banorëve në disa vendbanime. Situata ka mobilizuar që në orët e para të mëngjesit institucionet shtetërore, të cilat kanë dalë në terren për të menaxhuar pasojat.
Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, nga terreni bëri të ditur se Qeveria ka aktivizuar të gjitha mekanizmat përkatës dhe se ekipet janë angazhuar në pastrimin e rrugëve, kanaleve dhe në largimin e ujit nga zonat e prekura. Në disa raste, për arsye sigurie, janë evakuuar edhe familje.
Për koordinimin e veprimeve është formuar edhe Shtabi i Krizës, i cili do të udhëheqë menaxhimin e situatës deri në normalizimin e plotë. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, të shmangin zonat e rrezikuara dhe të respektojnë udhëzimet zyrtare.
Në terren ishte edhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, i cili theksoi se institucionet janë në koordinim të plotë dhe do të vazhdojnë angazhimin deri në tejkalimin e plotë të krizës.
Prioritet mbetet siguria e banorëve dhe vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga reshjet e rrëmbyeshme.