1.000 vendparkime në qendrën klinike “Nënë Tereza”! Ministri Aliu premton që projekti të përfundoj për një vit
Kaosi me parkimin në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza” Shkup planifikohet të rregullohet me 1.000 vendparkime të reja. Ndërtimi i garazheve në kate pritet të fillojë së shpejti e të përfundojë për një vit, pasi procedurat ligjore dhe administrative për realizimin e projektit kanë përfunduar – konfirmon i pari i Shëndetësisë Azir Aliu, duke shtuar se kanë pasur problem me shpronësimin e hapësirës.
“Do të jetë ndërtesë mobile pra do të ndërtohet shumë shpejt. Nga aspketi infrastrukturorë presim për gjashtë muaj të kemi rezultatet e para e brenda një viti të kemi komplet parkingun ashtu siç duam ne të jetë – smart parking – me gjithë infrastrukturën horizontale dhe vertikale”, tha Azir Aliu.
Menaxhimi i parkingut do t’i besohet Ndërmarrjes Publike “Parkingu i Qytetit të Shkupit”, ndërsa çmimi i shërbimit do të definohet nga institucioni menaxhues, me mbikëqyrje edhe nga Ministria e Shëndetësisë, për të garantuar çmime të kontrolluara dhe të pranueshme për qytetarët.
-Pra çmimi realisht definohet nga institucioni që do të menaxhojë…
–Parkingu i Qytetit të Shkupit?
–Po, gjithsesi ne kemi interes çmimi të kontrollohet edhe nga ministria.
Projekti pritet të lehtësojë ndjeshëm qasjen e pacientëve dhe stafit mjekësor në Qendrën Klinike, duke përmirësuar funksionimin e përgjithshëm të institucionit më të madh shëndetësor në vend. Ky ishte një nga premtimet kryesore të ministrit aktual të Shëndetësisë Aliu, ndërsa u premtua edhe nga paraardhësit e tjerë.