RMV-ja dhe Shqipëria synojnë ‘one stop shop’ në të gjitha pikat kufitare para verës
Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, pas takimit me homologen e tij nga Shqipëria, Albana Koçiu, njoftoi se po punohet që sistemi “one-stop-shop” të zbatohet në të gjitha pikat kufitare me Shqipërinë para sezonit të verës.
Toshkovski theksoi se gjatë takimit diskutuan përmirësimin e pikave kufitare midis dy vendeve.
“Mendoj se para fillimit të sezonës së verës do të mund, siç e zbatuam sistemin ‘one-stop-shop’ me Kosovën dhe Serbinë, ta zbatojmë edhe me Shqipërinë dhe ta përmbyllim, vendet që nuk janë pjesë e BE-së me një transfer më të shpejtë të qytetarëve që do t’i ulë pritjet në kufijtë tanë”, tha Toshkovski.
Ministrja shqiptare, Koçiu, tha se gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 5 milionë kalime dhe 1,8 milion automjete midis dy vendeve.
“Qëllimi ynë i përbashkët është rruga jonë evropiane, rruga e pashmangshme drejt standardizimit dhe procedurave evropiane për t’i bërë dy vendet tona aty ku e kanë vendin në familjen e madhe evropiane”, tha Koçiu.
Gjatë takimit, Koçiu dhe Toshkovski diskutuan gjithashtu për shndërrimin e pikës së kontaktit në një qendër të përbashkët policore dhe doganore, që do të mundësojë koordinim të vazhdueshëm 24/7 dhe shkurtim të burokracisë dhe pritjeve në kufi.
Sistemi “one-stop-shop” tashmë funksionon në pikën kufitare “Qafë Thanë”.