Vetëm për ushqim nevojitet një pagë minimale, shporta konsumatore shtrenjtohet për 1000 denarë
Shporta e parë konsumatore për këtë vit është për 1000 denarë më e shtrenjtë se një muaj më parë. Nevojat bazë për një familje katër anëtarëshe, në janar, kanë arritur në 66.413 denarë apo 921 denarë më shtrenjtë se dhjetorin e vitit që lamë pas.
Numri më i madh i shpenzimeve, apo 36,6 përqind e tyre, shkojnë për ushqim dhe pije. Vetëm për të ngrënë e pirë, një familje harxhon pothuajse një pagë minimale, apo 24 211 denarë, që krahasuar me shpenzimet e dhjetorit, janë shtrenjtuar për 571 denarë.
Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, kanë llogaritur se një familjeje mesatare i nevojiten 6,338 denarë për të mbuluar shpenzimet e përgjithshme, si qira, ujë, energji elektrike dhe ngrohje.
Për artikuj mësimorë nevojiten 7 192 denarë, për veshmbathje 6.043, për rekreacion dhe kulturë 5.592, për transport 4 545, ndërsa për telefona dhe komunikim 3 417 denarë.
Familjet mesatare që jetojnë me banesë me qira prej 60 metrash katrorë, në janar të këtij viti kanë shpenzuar 21 713 denarë për qira, ujë e energji elektrike, me çka shporta minimale për këtë kategori ka arritur në 81.788 denarë.
Shporta konsumatore minimale vazhdimisht po rritet, prandaj sindikalistët tashmë një kohë të gjatë insistojnë për rritje të pagës minimale në 600 euro, si dhe rritje të të gjitha pagave të tjera me nga 100 euro. Si pasojë e mungesës së një marrëveshjeje, ata kanë paralajmëruar protesta dhe bllokime.