Kasami do ta përfaqësojë VLEN-in në takimin e liderëve
Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, bëri të ditur se në takimin e liderëve të thirrur nga kryeministri Hristijan Mickoski, koalicioni VLEN do të përfaqësohet nga kryetari Bilall Kasami dhe vetë ai, në cilësinë e koordinatorit parlamentar.
Qoku tha se VLEN e mbështet iniciativën për shfuqizimin e qeverisë teknike, por theksoi se deri më tani nuk ka një agjendë të qartë për temat që do të diskutohen në këtë takim. Sipas tij, ftesa ka karakter të përgjithshëm dhe diskutimet pritet të përqendrohen në gjendjen aktuale politike dhe ekonomike në vend.
Ai shtoi se në tryezë mund të hapen edhe çështje që lidhen me sistemin zgjedhor, përfshirë modelin me një njësi zgjedhore, listat e hapura, si dhe variante të ndryshme për ndarjen e njësive zgjedhore. Qoku theksoi se brenda VLEN-it ende nuk ka një vendim zyrtar se cili model do të ishte më i përshtatshmi, ndërsa nuk përjashtohet që të diskutohet edhe për ndryshime eventuale të Kodit Zgjedhor.
Ndërkohë, sa i përket pjesëmarrjes së Bashkimit Demokratik për Integrim në takimin e liderëve, nga kjo parti bëhet e ditur se vendimi nëse do të marrin pjesë ose jo pritet të merret sonte.