Mickoski do të kërkojë takim liderësh për konsensus mbi ligjet reformuese dhe shfuqizimin e qeverisë teknike para zgjedhjeve
Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi në një paraqitje televizive se sot do t’u dërgojë ftesa partive politike parlamentare për takim liderësh në të cilin temat e diskutimit do të jenë ligjet reformuese dhe shfuqizimi i qeverisë teknike që zgjidhet 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare, transmeton Portalb.mk.
Takimi, siç tha kryeministri në një intervistë për TV Alfa, do të mbahet në shtatë deri në dhjetë ditët e ardhshme, para nisjes së tij për në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Ai pret që të gjithë liderët e koalicioneve parlamentare ta pranojnë ftesën për takim, ndërsa rendi i ditës, siç shton ai, mund të zgjerohet dhe plotësohet me propozime nga partitë e tjera.
Kryeministri gjithashtu pret që liderët e partive dhe koalicioneve parlamentare të arrijnë konsensus mbi çështjet kyçe për vendin që do të diskutohen në takim.
“Ja, le të flasim për Avokatin e Popullit. Le të tregojmë pjekuri që si politikanë dhe si shtet, kur sfida është, qëllimi është para nesh, dhe ai është Bashkimi Evropian, të flasim hapur për të gjitha ato tema, për të cilat nuk kemi pikëpamje diametralisht të ndryshme. A nuk thamë që të gjithë jemi pro, ligjet kanë mendim pozitiv nga Komisioni i Venedikut, kanë mendim pozitiv nga Zyra e Komisionit Evropian. Le të ulemi dhe të flasim”, thotë Mickoski.
Lidhur me qeverinë teknike, kryeministri thotë se para zgjedhjeve të fundit, vetë Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë tha se nuk ishte më e nevojshme para zgjedhjeve. Ai thotë se ndryshe nga më parë, kjo qeveri tregon gjerësi, e cila, sipas tij, është e nevojshme veçanërisht në një periudhë kur flitet për reforma thelbësore të sistemit politik, por edhe për ato që janë pjesë e Agjendës reformuese për pranimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Në këtë drejtim, Mickoski thekson se për disa nga këto reforma nevojitet konsensus i gjerë ndërpartiak.
“Para këtyre zgjedhjeve, udhëheqja e LSDM-së tha se ishte pro shfuqizimit të qeverisë teknike, le të shohim nëse do ta mbështesë këtë qëndrim. Nuk do të doja të hyja në ndryshime të tilla, edhe pse nuk ka kushte shtesë, as Badinter. Por nuk do të doja të hyja në një proces të tillë pa pasur konsensus, sepse mendoj se kjo është politikisht e paqytetëruar, sepse mendoj se ndryshime të tilla në sistemin politik duhet të kryhen me konsensus. Nëse themi se qeveria teknike është një lloj implanti, nëse themi se qeveria teknike mund të ketë probleme edhe me kushtetutshmërinë, po e pengon sistemin, nuk i jep hapësirë të mjaftueshme për manovrim, le t’i bëjmë edhe ato ndryshime”, tha kryeministri.
Si përkujtesë, në maj të vitit të kaluar, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, bëri thirrje për takim liderësh në të cilin, siç tha në atë kohë, do të përcaktoheshin vijat e kuqe të vendit dhe do të arrihej konsensus jopartiak midis të gjithë aktorëve politikë për çështjet më të rëndësishme shtetërore.
Përgjigja e kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ishte se ai dhe Filiçce kishin mbajtur tashmë një takim dhe se nëse do të kishte nevojë për një të ri, ai do të organizohej, por jo në atë moment sepse, siç tha ai në atë kohë, nuk kishte arsye për një gjë të tillë.