Doganierët sekuestrojnë masivisht mallra të paligjshme
Shërbimet doganore dhe ekipet mobile kanë parandaluar një sërë tentativash për kontrabandë në disa pika kufitare dhe në territorin e brendshëm të vendit, duke sekuestruar mallra të ndryshme me vlerë të konsiderueshme financiare dhe duke nisur procedura kundër autorëve.
Sipas të dhënave zyrtare, janë penguar përpjekje për kontrabandë të 103 telefona mobilë, më shumë se dy tonë banane, 500 paketime suplemente, 400 litra vaj ulliri, 53 litra vaj nga fara e zezë, 24 kilogramë duhan i prerë, pajisje për spa-qendra, rreth 400 produkte kozmetike, mbi 100 parfume të markave të njohura, si dhe shpendë shtëpiakë.
Në pikën kufitare Tabanoc, doganierët në tre raste të ndara kanë sekuestruar 500 paketime suplemente, pajisje auto, mjete ndërtimi dhe pajisje të tjera të specializuara me vlerë mbi 1.2 milionë denarë, duke parandaluar shmangien e pagesës së detyrimeve në vlerë 428 mijë denarë.
Në Deve Bair, në tre raste të tjera, gjatë kontrollit të automjeteve dhe një autobusi, janë zbuluar mbi 130 parfume të markave të njohura si Armani, Jean Paul Gaultier, Marc Jacobs. Mallrat ishin fshehur në bagazhe, hapësira të fabrikuara të automjeteve dhe mes rrobave. Drejtuesit nuk kishin deklaruar asgjë, çka çoi në kontroll të detajuar dhe zbulimin e mallrave të padeklaruara.
Inspektorët e Sektorit për Punë Operative kanë zbuluar tentativa kontrabande edhe në brendësi të vendit dhe gjatë procedurave të zhdoganimit. Janë sekuestruar pajisje për spa, sasi të mëdha veshjesh, pjesë auto, mjete pune, 15 litra preparat për trajtimin e agrumeve, 234 produkte kozmetike, 53 litra vaj nga fara e zezë, 1.000 reflektorë dhe panele LED që cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale, si dhe mallra të tjera.
Në një rast të veçantë, dy shtetas të Maqedonisë së Veriut janë kapur duke kryer rimbarkim të mallrave nga autobus në automjete, pa dokumentacion dhe pa dëshmi për pagesë detyrimesh doganore.
Dogana e Gjevgjelisë ka parandaluar kontrabandën e 2.3 tonë bananeve, të cilat nuk ishin të përfshira në dokumentacionin doganor, si dhe 400 litra vaj ulliri, të zbuluara në hyrje të pikës kufitare Dojran, në një automjet të drejtuar nga shtetas gjerman.
Në Zonën e Lirë Bunarxhik, janë gjetur 24 kg duhan i prerë pa pulla akcize, ndërsa në pikën kufitare Dellçevë, janë zbuluar pjesë kamioni, 100 litra vaj sintetik motorik, mjete pune, një dron me komponentë dhe pajisje fotografike.
Në një tjetër rast në Deve Bair, në dalje nga shteti, janë zbuluar 103 telefona të përdorur “iPhone” dhe “BlackBerry”, të fshehur në automjet nga një shtetas bullgar.
Kundër autorëve – kryesisht shtetas të Maqedonisë së Veriut – janë nisur procedura për kundërvajtje në pesë raste, ndërsa në një rast është hapur procedurë penale pranë Prokurorisë Themelore Publike në Kumanovë.
Nga Dogana theksojnë se kontrollet e shtuara do të vazhdojnë me qëllim parandalimin e kontrabandës, mbrojtjen e buxhetit të shtetit dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg./VOXAL/