Mbi dy ton marihuanë/ Dyfishohen rastet që kanë të bëjnë me tregtinë dhe përdorimin e drogës
Rritje e rasteve të lidhura me tregtinë dhe përdorimin e drogës në Maqedoninë e Veriut. Këtë e konfirmojnë edhe shifrat zyrtare, ku vetëm në periudhën janar–nëntor 2025, janë regjistruar 673 vepra penale nga fusha e tregtisë së paligjshme me narkotikë, ndërsa 779 persona janë proceduar penalisht. Numri më i madh i tyre në Shkup.
Paralelisht, autoritetet kanë sekuestruar sasi rekord droge, përfshirë mbi dy tonë marihuanë dhe disa herë më shumë substanca të forta krahasuar me vitin e kaluar.
“Në korniza të veprave penale, në vitin 2025 janë sekuestruar mbi 2 tonë marihuanë, krahasuar me 310 kilogramë në vitin 2024. Mbi 11 kilogramë opium, krahasuar me rreth 4 kilogram vitin e kaluar. Mbi 9 kilogramë amfetaminë, krahasuar me 1.4 kilogram vitin e kaluar. Rreth 7 kilogram kokainë, krahasuar me rreth 3 kilogramë të sekuestruara vitin e kaluar. Më tej janë sekuestruar 3,215 bimë kanabisi, fara kanabisi dhe të ngjashme”, thonë nga MPB.
Këto shifra, sipas sociologëve, nuk janë vetëm tregues të një aktiviteti kriminal në rritje, por pasqyrojnë edhe një problem të thellë shoqëror.
“Po rritet numri në mënyrë enorme, plus asaj ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e modelimit, çka do të thotë të mësuarit mes modeleve ekzistuese në shoqëri. Këto nuk janë modele të përshtatshme, por si mundësi që dikush ta vërejë te këta persona një sjellje të caktuar ose po themi një tejkalim të vështirësisë duke e përdorë një lëndë të caktuar, po themi xhointi apo marihuana si lëndë më e lehtë psikotrope, dhe në njëfarë mënyrë i arsyeton vetes edhe veprime të mëtutjeshme. Nesër nëse kjo nuk do i mjaftojë do orientohet në lëndë më të rënda dhe kështu pafundësisht vijmë në një situatë të një rrethi vicioz të çuditshëm të prirjes së të rinjëve dhe përgjithësi të shoqërisë që dështimet, fyerjet emocionale, krizat personale”, tha Musa Musai, profesor i sociologjisë.
Sociologët bëjnë thirrje për kujdes, duke nënvizuar se ajo që nis si arratisje e përkohshme nga problemet emocionale, përfundon si varësi që e shkatërron jetën. / Alsat.mk