Akulli merr nën kontroll rrugët, QMK u bën thirrje qytetarëve për kujdes maksimal
Qendra për Menaxhim me Kriza njofton se disa akse rrugore në pjesën perëndimore të vendit janë vështirë të kalueshme për shkak të ngricave. Në numrin për thirrje emergjente 112 janë raportuar disa raste të automjeteve të bllokuara, si dhe një rast i daljes nga rruga
“Sipas informacioneve të pranuara nga qendrat rajonale, si vështirë të kalueshme janë evidentuar këto akse rrugore: Shkup – Tetovë, Tetovë – Gostivar, Mavrovë – Dibër, Kërçovë – Ohër, si dhe aksi rrugor Kozjak – Shkup, si edhe disa rrugë rajonale në pjesën perëndimore të vendit” thuhet në njoftimin e QMK-së.
Qendra për Menaxhimin e Krizave u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë udhëzimet e institucioneve përkatëse, ndërsa për raportimin e çdo problemi apo situate emergjente theksojnë se është në dispozicion numri unik për thirrje emergjente 112.