Tri aksidente në autostradën Tetovë–Gostivar, qarkullimi i ngadalësuar për shkak të akullit, autoritetet: Mos dilni pa nevojë
Dhjetëra automjete kanë qenë të përfshira në tri aksidente trafiku në autostradën Tetovë–Gostivar. Sipas informacioneve fillestare, është konfirmuar vetëm një person i lënduar, ndërsa qarkullimi po zhvillohet i ngadalësuar në segmentin pranë “nyjës së Negotinës”. Shkak i aksidenteve dyshohet të jetë shpejtësia e papërshtatur dhe akulli në rrugë.
Zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme Tetovë, Fatmir Rexhepi, ka konfirmuar se ekipet policore janë në terren dhe po punojnë për normalizimin e qarkullimit dhe pastrimin e rrugës.
Aksidentet kanë ndodhur brenda një periudhe të shkurtër kohore dhe në afërsi të njëra-tjetrës.
Lidhur me këto aksidente ka reaguar edhe numri një i komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Ai nëpërmjet një postimi në fejsbuk, u bën thirrje qytetarëve për kujdes dhe shmangie të daljes pa nevojë.
“Si pasojë e temperaturave të ulëta, në rrugët e qytetit dhe fshatrat e Tetovës ka ngrica, gjë që rrit rrezikun për qarkullim.
“Ju bëjmë thirrje të gjithë banorëve të Tetovës që të mos dalin nga shtëpitë, as me automjete dhe as në këmbë, përveç rasteve të domosdoshme. Rrugët janë tejet të rrëshqitshme, janë shënuar aksidente të shumta dhe ekziston rrezik real për jetën dhe sigurinë e qytetarëve! Gjithashtu, ju informojmë se ekipet janë në terren dhe po ndërmarrin masa për sigurinë e rrugëve” -ka shkruar Kasami