Aktakuzë për skandal financiar: 7 persona dhe 13 kompani nën hetim për mashtrim me TVSH mbi 1.3 miliardë denarë
Aktakuzë dhe propozim-akuzë ndaj shtatë personave fizikë dhe 13 kompanive, të cilët akuzohen për bashkim kriminal, mashtrim tatimor, shmangie tatimi dhe pastrim parash, me ç’rast shteti është dëmtuar me mbi 1.3 miliardë denarë në bazë të kthimeve të paligjshme të TVSH-së. Dy nga të pandehurit, përveç krimeve të lartpërmendura, akuzohen edhe për veprën penale të vazhdueshme të “Shmangies së tatimit”. Sipas aktakuzës në fillim të vitit 2019 i pandehuri i parë, së bashku me dy të pandehur të tjerë si pronarë dhe drejtues të personave juridikë me qëllim të përfitimit të paligjshëm krijuan një grup për kryerjen e veprave penale të “Shmangies tatimore”, “Mashtrimit tatimor” dhe “Pastrimit të parave dhe të ardhurave të tjera nga veprat penale”. Katër të pandehur të tjerë, gjithashtu në cilësinë e pronarëve dhe drejtuesve të personave juridikë të akuzuar, iu bashkuan grupit si anëtarë. Të pandehurit kanë përgatitur dhe shkëmbyer fatura me përmbajtje të rreme. Në fatura, ata kanë futur të dhëna për transaksione të dyshuara të pasurive të paluajtshme, të cilat ata e dinin se nuk ishin ekzekutuar dhe se nuk ishin bërë pagesa për to përmes llogarive bankare të personave juridikë.