Mickoski: 21 milionë euro për blerjen e lokomotivave të reja elektrike
Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski sot njoftoi se është marrë vendim të blihen lokomotiva të reja elektrike në vlerë prej 21 milionë eurosh.
“Jemi veçanërisht të kënaqur të njoftojmë investimet në transportin hekurudhor në vlerë prej 21 milionë eurosh, të destinuara për blerjen e deri në pesë lokomotivave të reja elektrike, së bashku me pjesët e nevojshme rezervë,” deklaroi Mickoski.
Ky investim do të realizohet nëpërmjet një Marrëveshjeje Huaje midis HM Transport dhe BERZH-it, dhe sipas autoriteteve u parapri nga një analizë e plotë e nevojave reale, funksionalitetit dhe operueshmërisë së HM Transport.
“Dhe duhet të themi sinqerisht se situata që trashëguam ishte katastrofike. Deri vonë, HM Transport nuk kishte asnjë lokomotivë plotësisht funksionale. Më shumë se njëzet trena ndërkombëtarë mallrash u ndalën në Gjevgjeli, pa mundësinë e transportimit të ngarkesës në tregjet evropiane. Kjo do të thoshte humbje kontratash, humbje të ardhurash dhe humbje besimi” deklaroi kryeministri.