Gjykata vendos në favor të punonjësve: ministria i ka bërë llogaritë gabim
Me vendimin e fundit të gjykatës, saga e mbi tre mijë punonjësve në 120 institucione të kulturës për përllogaritjen e pagave duket se ka marrë fund. Në arsyetimin e gjykatës, të publikuar nga Sindikata e Punonjësve të Kulturës, vihet në duke se dukje se “konform fakteve të vërtetuara dhe dispozitave të cituara nga Marrëveshja e përgjithshme kolektive për sektorin publik gjykata konstaton se vendimi i miratuar nga i padituri (MKT) më datë 23.04.2025 është i paligjshëm”. Kjo nënkupton se formula e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për përllogaritjen e pagave të punonjësve, do të duhet të ndryshojë.
“Gjithmonë kemi hasur në rezistencë në MKT të bazuar në qëndrime dhe pozicione individuale, pa arsyetime të justifikuara për arsyen se pse veprohet kështu. Shpresojmë që ministri përfundimisht do ta pranojë gabimin që e bëri në muajin prill dhe punonjësve dhe kolegëve të tij do t’ua ktheje rrogën që ua shkurtoi”, thuhet në reagimin e sindikalistëve.
Nga ana tjetër, me vonesë ka reaguar edhe Qeveria. Në seancën e datës 9 dhjetor Qeveria pas shqyrtimit të informacionit lidhur me përllogaritjen e pagave ka kërkuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit të hartojë një Udhëzues për përllogaritjen konfrom MKK, por edhe të vërtetojë mënyrën sesi është bërë përllogaritja e koeficienteve. Po ashtu Qeveria kërkon nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës që përmes Komisionit për zbatimin dhe interpretimin e dispozitave, konkretisht “të iniciojë procedurën për interpretimin e nenit 14, paragrafi 1 Marrëveshjes Kolektive të përgjithshme për sektorin publik.
Problemi me pagat nisi tetë muaj më parë, pas udhëzimeve që drejtorët e institucioneve morën nga MKT për përgatitjen e pagës në kundërshtim me Marrëveshjet Kolektive.
MKT insistonte se pagat janë harmonizuar me Marrëveshjet e Përgjithshme dhe të Veçanta Kolektive, por në fakt bëri një interpretim jo të duhur të dispozitave të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive për sektorin publik. Në udhëzimet nga MKT që iu lëshuan institucioneve pa një hartues të nënshkruar, drejtorët u detyruan të anulojnë vendimet e vjetra për pagat dhe të përgatisin të reja sipas një afati të caktuar. Me rritjen e pagës minimale në mars, punonjësit në institucionet kulturore duhej të merrnin paga 8.5% më të larta, sipas marrëveshjeve kolektive për kulturën dhe sektorin publik dhe Ligjit për Marrëdhëniet e Punës.
Megjithatë, ata morën paga 3% më të ulëta me një zbritje nga 10% që duhej të merrnin sipas Marrëveshjes Kolektive për Sektorin Publik. Ministria e llogariti rritjen prej 10% sipas Kontratës Kolektive të Sektorit Publik si diferencë, të marrë në shtator 2023. Dhe kjo rritje duhet t’i shtohet pagës bazë bruto. /Koha/