Daut Memishi fillon lirimin e hapësirave publike në Tearcë: 10 ditë afat për t’i larguar veturat e avarisura
Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, njoftoi se Inspektorati Komunal në Tearcë ka nisur aksion për lirimin e hapësirave publike nga veturat e avarisura dhe të braktisura, të cilat pengojnë qarkullimin dhe po prishin pamjen urbane.
“Në kuadër të këtij aksioni, inspektorët kanë vendosur paralajmërime zyrtare në automjetet që janë konstatuar të parkuara për një kohë të gjatë në hapësira publike. Pronarëve u është lënë afat prej 10 ditësh që t’i largojnë veturat nga këto lokacione. Nëse paralajmërimet nuk respektohen brenda afatit të caktuar, do të pasojnë masa të tjera ligjore, përfshirë edhe largimin e veturave me shërbime të specializuara, në përputhje me rregulloret në fuqi”, njoftoi Memishi.
Ai apeloi tek qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të kontribuojnë në ruajtjen e rendit, sigurisë dhe pastërtisë së hapësirave publike.
