Ahmeti minimizon pakënaqësitë pas Kongresit: “Janë vetëm dy-tri persona”
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar me tone të ashpra ndaj kritikave që kanë ardhur pas Kongresit të pestë të partisë. I pyetur sot në një brifing me gazetarët për pakënaqësitë e shprehura publikisht, Ahmeti minimizoi reagimet, duke thënë se bëhet fjalë për vetëm “dy-tre persona”.
Në të njëjtën kohë, ai dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë për ata që, sipas tij, reagojnë për shkak të humbjes së funksioneve. “Ata që ikin pse s’kanë funksione, lirisht le të ikin”, deklaroi Ahmeti, duke shtuar se Abdyl Selam Selami tashmë i ka kërkuar falje dhe do të mbetet i rreshtuar në BDI.
Deklaratat e Ahmetit sinjalizojnë një qëndrim përjashtues ndaj zërave kritikë brenda partisë, duke lënë të kuptohet se udhëheqja nuk ka ndërmend të tolerojë pakënaqësi që lidhen me interesa personale, pavarësisht tensioneve të brendshme që kanë shpërthyer pas Kongresit.
“Sipas meje ka 2-3 persona qe kane reaguar publikisht. Abdyl Selam Selami më ka kërkuar falje, ai do jetë i rreshtuar në BDI. Ata që ikin pse s’kanë funksione, lirisht le të ikin. Asnjë parti në rajon s’ka bërë kaq ndryshim të madh në Kryesinë Qendrore”, tha mes tjerash Ahmeti.