Përditësim/ Kaos ajror në Shkup për shkak të mjegullës – ja ku mund t’i ndiqni ndryshimet në orarin e fluturimeve
Si pasojë e dukshmërisë së ulët të shkaktuar nga mjegulla, nga ora 00:00 pas mesnate deri në orën 20:00 sonte janë anuluar gjithsej 20 fluturime (nisje dhe ardhje), dy janë ridrejtuar, ndërsa kanë ateruar 13 avionë dhe po aq kanë realizuar fluturime në nisje, njofton TAV Maqedoni.
Nga TAV Maqedoni theksojnë se kushtet e motit ndryshojnë vazhdimisht dhe se çdo kompani ajrore ka pragun e vet të tolerancës për ulje dhe ngritje në kushte të dukshmërisë së reduktuar. Për këtë arsye, u bëhet apel të gjithë pasagjerëve që të ndjekin informacionet dhe udhëzimet për fluturimet e tyre të ofruara nga kompanitë ajrore.
Autoritetet përsërisin se të gjitha kapacitetet e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit janë funksionale dhe se aeroporti është i hapur për qarkullim ajror.
Ndryshimet në orarin e rregullt të fluturimeve përditësohen në kohë reale në faqen zyrtare të aeroportit, https://skp.airports.com.mk/
Pasagjerët që kanë pyetje shtesë për fluturimin e tyre mund t’u drejtohen sportelit të informacionit në terminal ose të telefonojnë në numrin: +389 2 3148 333.