Ish funksionarët e BDI të dëshpëruar, e quajnë Kongresin e fundit “duartrokitje e organizuar”
Disa zëra të rëndësishëm brenda Bashkimit Demokratik për Integrim kanë shprehur hapur pakënaqësinë e tyre pas përfundimit të Kongresit të Pestë të partisë, duke ngritur dilema mbi përbërjen e kryesisë së re dhe mënyrën se si u prezantuan reformat e paralajmëruara.
Ish-sekretari shtetëror i Kulturës dhe zyrtar i BDI-së në Tetovë, Valmir Aziri, ka qenë ndër kritikët më të zëshëm. Ai ka vënë në pikëpyetje seriozitetin e procesit kongresor, duke vlerësuar se reformat u shpallën si të përfunduara pa një analizë të thellë, pa llogaridhënie dhe pa ballafaqim me gabimet dhe dështimet e së kaluarës. Sipas Azirit, Kongresi u mbyll më shumë me formalitet dhe “duartrokitje të organizuara” sesa me debat real politik.
Në reagimin e tij, Aziri thekson se figurat e paraqitura si prurje të reja nuk janë rezultat i një procesi të hapur dhe demokratik, por vazhdimësi e të njëjtit rrotacion brenda strukturave partiake. Ai vlerëson se ndryshimi i emrave nuk përbën reformë, duke shtuar se besimi i qytetarëve rikthehet vetëm përmes përgjegjësisë konkrete dhe ndryshimit thelbësor në mënyrën e funksionimit politik.
Pakënaqësi ka shprehur edhe Abdul Selam Selami, një emër i njohur i BDI-së nga Çairi. Përmes një mesazhi publik në rrjetet sociale, ai ka reaguar me tone të ashpra, duke lënë të kuptohet se vendimet e marra nuk përfaqësojnë vullnetin real të anëtarësisë. “Shkelni me dy këmbë sa të doni, por populli di të lexojë mirë dhe nuk gabon”, ka shkruar Selami.
Nga ana tjetër, ish-zëvendëskryeministri Festim Halili ka kritikuar avancimin e individëve pa peshë meritokratike në pozita të rëndësishme, veçanërisht në Tetovë, duke theksuar se shumë kuadro me kontribut të dëshmuar janë anashkaluar.
Halili ka ngritur gjithashtu çështjen e mungesës së përgjegjësisë për humbjet në katër cikle zgjedhore radhazi, duke bërë thirrje për rikthimin e meritokracisë, hapjen ndaj mendimit kritik brenda partisë dhe përfshirjen e kuadrove që kanë treguar rezultate konkrete në terren.