BE: Ndryshimet kushtetuese kusht për hapjen e Klasterit 1
Samiti vjetor BE–Ballkani Perëndimor po mbahet sot në Bruksel, duke mbledhur liderët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të rajonit, në një moment kyç për procesin e zgjerimit. Diskutimet fokusohen në Paketën e Zgjerimit 2025 dhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh, me synim afrimin ekonomik dhe përshpejtimin e reformave.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe Maqedonisë së Veriut, e cila vazhdon të mbetet e bllokuar për shkak të mosmarrëveshjes me Bullgarinë. Ndërkohë, Danimarka, si presidente aktuale e BE-së, ka publikuar konkluzionet për zgjerimin, duke theksuar se integrimi në BE mbetet qëllim strategjik i vendit, por kërkon intensifikim të reformave.
Në dokument theksohet se Maqedonia e Veriut ende nuk ka zbatuar ndryshimet kushtetuese, ndërsa BE shpreh gatishmëri për thirrjen e konferencës së dytë ndërqeveritare dhe hapjen e Klasterit 1, sapo të përmbushet ky kusht. Këshilli i BE-së kërkon veprime të shpejta, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit dhe luftës kundër korrupsionit.