Arrestohet ish-avokati i shtetit Fehmi Stafa – dyshohet për marrje ryshfeti
Ish-avokati i shtetit, Fehmi Stafa, është arrestuar sonte, ndërsa sipas burimeve jozyrtare, arrestimi ka të bëjë me ryshfet prej disa dhjetëra mijëra eurosh.
Ai e ka ushtruar funksionin e avokatit të shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga gushti i vitit 2018 deri në vitin 2022.
Avokatura e Shtetit është institucioni kompetent për mbrojtjen juridike të interesave të shtetit, përfshirë menaxhimin e çështjeve pronësore-juridike, si dhe përfaqësimin e shtetit para gjykatave dhe institucioneve të tjera.
Gjatë mandatit të tij, Stafa ishte i përfshirë në një sërë lëndësh që ngjallën interes të madh publik.
Emri i tij më së shpeshti lidhej me rastin “Transmet”, përkatësisht me procedurat për konfiskimin e pasurisë së lidhur me biznesmenin Sead Koçan. Ai kishte hyrë në konflikt me ish-prokurorët e PSP-së, Gavril Bubevski dhe Artan Ajro, për shkak se shteti nuk e konfiskoi pasurinë e Koçanit.