Venecia jep dritë jeshile për Ligjin e Përfaqësimit të Drejtë
Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ka marrë dritë jeshile nga Komisioni i Venecias. Nga kabineti i zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, Arben Fetai, njoftojnë se në vlerësimin e këtij institucioni konfirmohet se ligji është plotësisht në harmoni me standardet evropiane dhe parimet e demokracisë.
Në njoftimin e kabinetit të Fetait, ligji vendos një balancë mes meritokracisë dhe profesionalizmit, ndërkohë që garanton përfaqësim të drejtë të të gjitha komuniteteve në institucionet shtetërore dhe publike. Qytetarëve u mundësohet qasje e barabartë në punësim, pa cenuar cilësinë dhe standardet e shërbimit publik.
“Deklarimi i përkatësisë etnike mbetet vullnetar dhe nuk sjell asnjë pasojë negative në realizimin e të drejtave të qytetarëve, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe mosdiskriminimin. Për të shmangur abuzimet me vetëidentifikimin, ligji parasheh edhe verifikim përmes kartës së identitetit dhe dokumenteve të tjera zyrtare” thuhet në njoftim.
Nga kabineti theksojnë se kjo qasje ligjore forcon integritetin institucional, rrit gjithëpërfshirjen dhe besimin e qytetarëve në sistem, duke siguruar menaxhim të depolitizuar dhe të mbështetur në standardet evropiane të qeverisjes së mirë.
Delegacioni që prezantoi ligjin në Komisionin e Venecias u kryesua nga zëvendëskryeministri Arben Fetai, i shoqëruar nga profesorët e së drejtës kushtetuese, prof. dr. Tanja Karakamisheva Jovanovska dhe prof. dr. Jeton Shasivari.