Zeqirija Ibrahimi dorëhiqet nga pozita e kryetarit të Alternativës, deri në kongresin e radhës në vend të tij vendoset Bekim Sali
Kryetari i partisë Alternativa, Zeqirija Ibrahimi dha dorëheqje nga pozita e kryetarit. Dorëheqjen e dorëzoi në mbledhjen e Kuvendit Qendror, ndërsa siç njoftoi ai përmes një postimi në fejsbuk, deri në kongresin e ardhshëm të partisë, në këtë detyrë u zgjodh Bekim Sali.
“Nëse më duhet ta elaboroj arsyen e kësaj dorëheqjeje, mund të shpjegoj se kjo vjen vetëm për shkak të bindjeve të mia për politikën dhe nuk ka të bëjë me asnjë pakënaqësi ndaj asaj që sot përbën politikën e Alternativës ose të VLEN-it, në përgjithësi. Madje, që ta eliminoj çdo keqkuptim, mund të them se, duke besuar fuqishëm në unifikimin e VLEN-it, unë tashmë e kam ofruar një model të këtij bashkimi në tavolinën e liderëve dhe jam shumë optimist që ai do të pranohet,” shkroi Ibrahimi.
Ibrahimi tha se do të vazhdojë të jetë në shërbim rë Alternativës e VLEN-it në prapaskenë.
“Kam disa projekte të papërfunduara në punën time shkencore, mund të bëj ndonjë libër me reportazhe, ndonjë vepër artistike ose t’i botoj edhe shkrimet e mia politike. Ndërkohë, do të jem në shërbim të partisë Alternativa sot ose të VLEN-it nesër në detyrat që mund të më besohen në prapaskenë. Nëse më jepet detyra, jam në shërbim të edukimit politik të të rinjve dhe të rejave që mund ta kenë me vlerë përvojën time politike, gjithnjë nëse dikujt i shërben dhe i duhet ajo përvojë” përfundoi Ibrahimi