Protestë në Shkup më 13 dhjetor në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
Në Shkup është paralajmëruar mbajtja e një proteste më 13 dhjetor në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Tubimi do të zhvillohet në sheshin “Skenderbeu”, duke nisur nga ora 13:00.
Sipas njoftimeve të bëra nga organizatorët dhe përfaqësues politikë, përfshirë edhe paralajmërimin e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, protesta synon të kërkojë një proces të drejtë gjyqësor dhe të shprehë solidaritet me të akuzuarit. Pjesëmarrja e qytetarëve vlerësohet si një mesazh mbështetjeje për ata që konsiderohen pjesë e luftës për liri dhe pavarësi.
Kjo protestë vjen pas dy tubimeve të mëdha të mbajtura së fundmi në Prishtinë dhe Tiranë, ku u artikuluan qëndrime të ngjashme lidhur me trajtimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë./VOXAL/