IBU me mbi 16 laboratori po prodhon gjenerata të tjera me praktikë evropiane
Universiteti Ballkanik po vazhdon të investojë në kushte më të mira për studentët që ndjekin mësimin në shumë drejtime të ndryshme.
Gjatë një takimi me gazetarët, udhëheqësia e IBU-së shpjegoi kushtet inovative për mësim praktik që ka krijuar për studentët, por edhe ambientin e “gjelbërt” duke u bërë kështu universiteti i parë në Maqedoninë e Veriut që investon edhe në energji të ripërtrishme, edhe në hapësira të gjelbërta por edhe në riciklim, duke ngritur vetëdijen e studentëve dhe ndihmuar shoqërinë.
“Jemi krenarë të themi se jemi universiteti më i mirë privat në shtet. Nëse heqim pjesën e mjekësisë, sepse nuk kemi fakultet të mjekësisë, ne jemi më të mirët”, deklaroi Lufti Sunar, rektor i IBU-së.
Mësimi në këtë universitet që vëzhgoi VOXAL, ishte në një mënyrë tejet moderne me mbi 16 laboratore dhe klasa që përmbajnë një sërë mjetesh dhe teknikash që lehtësojnë procesin e mësimit, si dhe çojnë studentët drejt horizonteve dhe dijeve në nivel botëror.
Nga ky universitet ku çdo vit dalin më shumë se 400 studentë të diplomuar, sivjet pritet të ketë një numër rekord të mbi 700 studentëve të cilët do të përfundojnë ciklin e studimeve deridiplomike.
“Këtë vit kishim pranuar afër 900 studentë. Dhe kemi pasur rreth 400 të diplomuar. Shifrat e të diplomuarve do të rriten gjatë viteve në vazhdim pasi gjatë pesë viteve të fundit kemi patur më shumë studentë të pranuar, kemi rritur numrin. Prandaj mendoj se sivjet do të kemi diplomimin masiv, do të kemi rreth 700 studentë të diplomuar”, deklaroi Lufti Sunar, rektor i IBU-së
Në këtë universitet e veçanta është larmia e prejardhjes së studentëve si dhe gjuha angleze në të cilën zhvillohet mësimi, dhe pjesa praktike reale, që ju mundëson studentëve që të gjejnë punë më lehtë pas studimeve. Sipas të dhënave të universitetit, mbi 55 përqind e studentëve në këtë universitet janë të huaj, dhe vijnë nga shumica e vendeve të rajonit dhe më gjerë. /VOXAL/