Europol përfshin Maqedoninë e Veriut në operacionin e gjerë kundër trafikut dhe vjedhjes së automjeteve
EUROPOL ka realizuar gjatë javëve të fundit të tetorit një superoperacion kundër vjedhjes dhe trafikimit të automjeteve, si dhe trafikimit të qenieve njerëzore në të gjithë Evropën — një aksion ku është përfshirë edhe Maqedonia e Veriut. Operacioni është fokusuar kryesisht në Greqi, ku celulat kriminale kishin bazat kryesore dhe organizonin si trafikun e automjeteve, ashtu edhe kontrabandimin e emigrantëve. Gjatë kontrollimeve janë zbuluar dhe bllokuar mbi 200 automjete të vjedhura, ndërsa janë kryer më shumë se 100 arrestime.
Aksioni, i koduar “JAD Mobile 8” (Dita e Veprimit të Përbashkët), është koordinuar nga EUROPOL dhe FRONTEX. Në Greqi, kontrollet intensive u shtrinë në gjashtë zona të ndryshme, ku gjatë 11 ditëve u identifikuan gjithsej 231 makina të vjedhura.
Sipas njoftimit të EUROPOL-it, operacioni është pjesë e një fushate më të gjerë evropiane të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet greke, gjermane, spanjolle dhe polake, ndërsa dhjetëra vende të BE-së – përfshirë Austrinë, Bullgarinë, Kroacinë, Francën, Italinë e Suedinë – morën pjesë me njësi të specializuara. Vendet e treta që iu bashkuan aksionit ishin Shqipëria, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Zvicra, krahas mbështetjes së EUROPOL-it dhe INTERPOL-it.
Gazeta greke Protothema raporton se kontrollet janë kryer si në kufijtë e jashtëm, ashtu edhe brenda territorit grek, përfshirë Atikën, Selanikun, Kilkisin, Ftiotidën, Trakinë dhe Seresin, si dhe në pikat kufitare Mertzani, Kristallopigi dhe Kakavia. Qëllimi kryesor ka qenë identifikimi i automjeteve të vjedhura ose me numra shasie të falsifikuar.
Në nivel evropian, gjatë operacionit u identifikuan 462 automjete të vjedhura (232 më shumë se një vit më parë).
Në Greqi u kontrolluan gjithsej 6.548 mjete, ku u zbuluan 231 automjete të vjedhura ose të falsifikuara, u arrestuan 84 emigrantë të paligjshëm dhe 21 trafikantë, ndërsa u sekuestruan edhe sasi të vogla lëndësh narkotike.
Aksioni i përbashkët u zhvillua në periudhën 20 – 31 tetor 2025.