Paralajmërim për vërshime në Kosovë, në Prishtinë ndërpritet mësimi
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar për rrezik të vërshimeve të shpejta në disa lokalitete në Kosovë më 18 dhe 19 nëntor, si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë të shiut që kanë nisur nga orët e para të së martës, transmeton Anadolu.
Për shkak të reshjeve të shiut me intensitet të lartë dhe rrezikut që të ketë vërshime, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka njoftuar të martën për anulim të mësimit.
“Ju njoftojmë se për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike, reshjeve të mëdha të shiut dhe vështirësive në komunikacion, në koordinim me Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave, Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe drejtorët përkatës të shkollave, procesi mësimor për ditën e sotme anulohet. Ky vendim është marrë edhe në koordinim me kryetarin e kryeqytetit dhe është masë preventive e sigurisë për fëmijët tanë”, thuhet në njoftimin e kësaj drejtorie.
Sipas paralajmërimit zonat më të rrezikuara janë rrjedha e mesme dhe e poshtme e Drinit të Bardhë, Bistrica e Prizrenit, Mirusha, Toplluha, Ereniku, Bistrica e Deçanit dhe rrjedha të tjera me karakter malor.
Sasia e reshjeve në më shumë se 40 litra për metër katrorë në 24 orë rrezikon shkaktim të përmbytjeve, problemeve në të gjitha aktivitetet e prodhimtarisë bujqësore, probleme në trafik dhe rrezik të rrëshqitjes së dheut e baltës.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent, bazuar në këtë njoftim të IHMK-së, ka bërë të ditur se i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të menaxhuar situatën në koordinim me institucionet relevante.
Gjithashtu, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka paralajmëruar qytetarët që të mos i hapin pusetat e kanalizimit me qëllim që të futet shiu në to, pasi sipas KRU-së ujërat e shiut mund të depërtojnë nëpër shtëpi.
“Përgjatë reshjeve të dendura, ndalohet rreptësisht hapja e pusetave të kanalizimit në mënyrë që ujërat e shiut të depërtojnë brenda në kanalizim, me ç’rast uji mund të depërtojë në shtëpitë tuaja”, thuhet në thirrjen e KRU-së.