Gjyqësori alarmon: Pavarësia po cenohet nga ndërhyrjet e pushtetit – reagim i ashpër ndaj deklaratave të Mickoskit
Këshilli Gjyqësor, Gjykata Supreme dhe Shoqata e Gjyqtarëve i janë kundërpërgjigjur kryeministrit Hristijan Mickoski pas deklaratave të tij se gjyqësori “nuk e meriton rritjen e pagave” dhe se sistemi i drejtësisë lidhet me borxhet shtetërore. Në një letër të hapur, gjyqësori paralajmëron se pavarësia e drejtësisë po cenohet rëndë nga ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv.
Në reagimin e përbashkët, tre institucionet e drejtësisë shkruajnë se komentet e Mickoskit e kanë kaluar kufirin institucional.
“Komentet që i jepni për gjyqtarët dhe gjyqësorin e kanë kaluar kufirin e sjelljes së mirë dhe janë shndërruar në sulme të paargumentuara dhe pa bazë,” thuhet në letrën dërguar kryeministrit.
Ata theksojnë se kritika është e dobishme vetëm kur shoqërohet me propozime konkrete, ndërsa në rastin e kryeministrit, sipas tyre, mungon çdo qëllim për përmirësim.
“Kritika pa argumente tregon synim që të mos merret asnjë masë për përmirësim, por përgjegjësia t’u hidhet gjyqtarëve,” vijon reagimi.
Gjyqësori kundërshton edhe tentativën e Mickoskit për ta lidhur drejtësinë me borxhin prej 2 miliardë eurosh, duke e quajtur këtë pretendim të pabazë. Në letër theksohet se:
“Sistemi gjyqësor kurrë nuk ka gjeneruar borxhe… përkundrazi, gjykatat e mbushin arkën e shtetit përmes taksave gjyqësore dhe gjobave.”
Institucionet gjyqësore kujtojnë se problemi kryesor i drejtësisë nuk janë pagat, por ndërhyrjet politike dhe mungesa e pavarësisë, siç e ka vërejtur edhe Komisioni Evropian.
“Problemi më i madh i gjyqësorit është pavarësia e gjyqtarëve, e cenuar nga ndërhyrja e vazhdueshme e pushtetit ekzekutiv dhe atij ligjvënës,” citohet raporti i KE-së në letër.
Në fund, gjyqësori e akuzon kryeministrin se me deklaratat e tij po dëmton parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve.
“Me komentet tuaja po e dëmtoni parimin demokratik të balancës mes tre pushteteve. Pavarësia e gjyqësorit është kategori kushtetuese dhe duhet të respektohet,” thuhet në përfundim.
Letra është nënshkruar nga Këshilli Gjyqësor, Gjykata e Lartë dhe Shoqata e Gjyqtarëve. Në të tre institucionet kërkojnë që qeveria të ndalojë tendencat për ndikim dhe të garantojë pavarësi të vërtetë, si kusht bazë për integrimin evropian./VOXAL/