Prej 25 operacioneve të dyshimta, 10 janë bërë pa nevojë, Komisioni del me detaje
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, bëri të ditur se tek dhjetë pacientë janë kryer operacione kardiologjike dhe kardiokirurgjike pa nevojë, ose pacientët janë udhëzuar padrejtësisht drejt ndërhyrjeve të tilla. Deklarata u dha në konferencën e sotme për media, të mbajtur së bashku me anëtarët e Komisionit të Brendshëm për intervenime kardiologjike dhe kardiokirurgjike.
Komisioni ka trajtuar gjithsej 25 raste të raportuara.
“Prej tyre, gjashtë janë dërguar për trajtim të mëtejmë në DRSI, ndërsa 19 janë analizuar plotësisht. Në dhjetë raste është konstatuar se operacionet janë kryer pa nevojë ose pacientët janë udhëzuar padrejtësisht drejt operimit”, deklaroi ministri Aliu.
Ai nuk specifikoi në cilat institucione shëndetësore janë kryer këto operacione të dyshimta.
Kryetari i Komisionit, Zharko Hristovski, tha se tani fillon faza e dytë e punës.
“Tani vijon hyrja në institucione për analiza më të thelluara dhe përgatitjen e një strategjie të qartë. Kur të kemi vlerësimin përfundimtar për secilin rast, informacioni do t’u përcillet institucioneve kompetente”, theksoi ai.
Ministri Aliu shtoi se raporti aktual është vetëm paraprak dhe se pritet takim me tre ekspertë të huaj, pas së cilit do të përgatitet raporti final.
“Raporti përfundimtar do të shërbejë si bazë për definimin e politikave tona shëndetësore”, u shpreh Ai.
Komisioni do të vazhdojë punën sipas metodologjisë së përcaktuar deri në zbardhjen e plotë të të gjitha rasteve./VOXAL/