Kurti: VV ka fituar në shtatë komuna – të gjithë të tjerët janë bashkuar kundër nesh
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka arritur fitore në shtatë komuna në zgjedhjet lokale të mbajtura këtë të diel. Ai tha se, megjithëse pritjet kanë qenë më të larta, rezultati përbën një sukses për partinë.
“Në bazë të të dhënave nga komisionarët tanë, kësaj radhe kemi fituar në shtatë komuna. Ky është një sukses i Lëvizjes Vetëvendosje. Natyrisht që kemi synuar më shumë se kaq, por më lejoni të përgëzoj katër kryetarët e komunave që kanë qeverisur në këtë katërvjeçar – Podujevën, Shtimen, Kamenicën – të cilëve sonte iu bashkua Gjilani me një fitore të madhe. Përveç kësaj, është e qartë që kemi fituar edhe në Mitrovicë, edhe në Fushë Kosovë dhe Obiliç”, tha Kurti.
Ai shtoi se në shumë komuna të tjera, subjektet politike të opozitës janë bashkuar kundër Vetëvendosjes, por pavarësisht kësaj, partia e tij ka arritur të ruajë mbështetjen qytetare.
“Në të gjitha rastet, të gjithë të tjerët janë bashkuar kundër Vetëvendosjes. Pra, Vetëvendosje është ballafaquar me të përbashkëtën e tyre, e cila është një situatë e paprecedent në historinë politike e elektorale të Kosovës. Andaj, ky është një sukses i Vetëvendosjes, i qytetarëve”, theksoi Kurti.
Nga rezultatet e deritanishme, në Prizren fitues del Shaqir Totaj nga PDK. Në Prishtinë Përparim Rama nga LK. Në Klinë Zenun Elezaj i AAK-së. Në Dragash Bexhet Xheladini i LDK-së. Smajl Latifi i AAK-së prin në komunën e Rahovecit. Gazmend Muhaxhiri i LDK-së fiton edhe një mandat në Pejë. Në Kllokot, komunë me shumicë serbe, ka fituar Bozhidar Dejanoviq, nga Lista Serbe, duke marrë afër 90 për qind të votave./VOXAL/