USHT shpreh ngushëllime për vdekjen tragjike të studentes Daorsa Spahija nga Gjakova
Universiteti Shtetëror i Tetovës ka shprehur ngushëllime për vdekjen tragjike të studentes së tyre, Daorsa Spahija, e cila humbi jetën dje në Tetovë në rrethana të rënda që tronditën opinionin.
Në telegramin e ngushëllimit, Kuvendi Universitar i Studentëve të USHT-së shkruan se lajmi për ndarjen nga jeta të Daorsës është pritur me pikëllim të thellë dhe dhimbje të madhe në mesin e studentëve dhe stafit akademik.
“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të koleges sonë, Daorsa Spahija. Largimi i saj i papritur përjetohet me dhimbje të madhe në shoqërinë tonë studentore, në auditorët, në bisedat dhe kujtimet që i ndamë së bashku. Humbja e Daorsës na prek thellë, jo vetëm si kolegë, por si një komunitet i tërë,” – thuhet në telegramin e Kuvendit Universitar të Studentëve të USHT-së.