Kurti uron VLEN-in për fitoren në zgjedhjet lokale: “Keni qeverisur me duar të pastra dhe pa skandale”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar koalicionin VLEN për fitoren në dhjetë komuna në zgjedhjet lokale të mbajtura në Maqedoninë e Veriut. Nëpërmjet një postimi, Kurti ka vlerësuar se ky rezultat është dëshmi e qeverisjes së mirë dhe e vullnetit për ndryshim në mesin e shqiptarëve të vendit fqinj.
“Nga Çairi në Tetovë, VLEN-i ka arritur të fitojë në dhjetë komuna në Maqedoninë e Veriut. Dy miqtë e mi, Izeti dhe Bilalli, triumfuan me meritë, me projekte konkrete dhe punë të ndershme. I pari që në raundin e parë, i dyti dy javë më vonë, por të dy ngadhënjyen me diferencë të thellë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka shtuar se suksesi i VLEN-it në zgjedhjet lokale është “konfirmim i qeverisjes së mirë, i vullnetit për ndryshim te shqiptarët dhe një shans i madh për reforma në Maqedoninë e Veriut”.
Sipas Kurtit, në 15 muajt e parë në pushtet, VLEN-i ka qeverisur me “duar të pastra, pa korrupsion e skandale, duke bërë një dallim etik me qeverisjet e kaluara”.
“Në 15 muajt e parë në pushtet, VLEN-i ka qeverisur me duar të pastra, pa korrupsion e skandale, duke bërë edhe një dallim etik me qeverisjet e kaluara. Pikërisht kjo frymë e ndryshimit, ka sjellur një bashkëpunim të hapur e shumë dimensional mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Nga takimi përmbajtësor i dy qeverive tona e deri te menaxhimi i përbashkët i kufirit, Kosova e Maqedonia e Veriut si kurrë më parë kanë thelluar raportet fqinjësore. Qeveria e Kosovës mirëpret zhvillimet demokratike në Maqedoni të Veriut, si një dëshmi e perspektivës evropiane të partnerit dhe aleatit tonë”, ka përfunduar Kurti.