Instituti i Shëndetit Publik: Për një javë 56 raste me grip
Për një javë në vend janë regjistruar 56 raste me grip, si dhe me viruse të tjera, që është një rënie prej 32.5 për qind krahasuar me javën e kaluar, por numri i rasteve të gripit këtë vit është më i lartë, në krahasim me vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, informojnë nga Instituti i Shëndetit Publik.
“Gjatë javës së kaluar janë regjistruar 56 pacientë me grip dhe viruse të tjera të ngjashme me gripin. Deri më tani gjithsej kanë qenë me grip 244 pacientë, flasim për numra të ulëta, por prapë është numri më i lartë se mesatarja dhe nga sezoni i kaluar, por ende nuk është shumë i rritur numri me grip, ende është herët për të vlerësuar se si do të shkojë sezoni, sepse ende jemi në fillim të sezonit. Jemi në javën e katërt që e ndjekim gjendjen me grip. Piku i gripit është në fund të janarit deri në mesin e shkurtit.”, – thanë nga IShP.
Sipas mjekëve, pacientët ankohen nga temperaturat e larta, dhimbje të barkut dhe plogështi. Më shumë dominojnë fëmijët parashkollorë.
“Persona të rinj, fëmijë, por edhe pacientë të moshuar kanë simptome me dhimbje fyti, kokëdhimbje, plogështi, dhimbje të muskujve. Faza akute tek të gjithë këta pacientë zgjat 1 deri në 2 ditë. Pacientët edhe në kushte shtëpiake duhet të kujdesen për shëndetin, të hidratohen mirë, të marrin lëngjet e nevojshme që i humbin gjatë problemeve që i kanë, si dhe t’i marrin mjaftueshëm vitaminat e nevojshme.”, – theksoi mjekja, Mira Atanasova.
Sipas autoriteteve kompetente, vaksinimi është mbrojtja më e mirë që parandalon komplikimet e rënda nga gripi. Deri më tani mbi 30 mijë qytetarë, që janë në kategoritë e rrezikuara, kanë vizituar punktet e vaksinimit.