Nesimi: Levicës nuk i pengon vetëm Bilall Kasami, por fryma e ndryshimit që ka nisur te shqiptarët
Analisti Florian Nesimi, thotë se qëllimi final i partisë Levica, nga e cila shpreson BDI në raundin e dytë, është të dobësojë faktorin shqiptar.
Ai në një shkrim në Facebook thotë se Levicës i pengon fryma e ndryshimit te shqiptarët dhe ka për qëllim të shkaktojë përçarje mes shqiptarëve.
“Ajo që më bie mua në sy është ofensiva e madhe propagandistike e Levicës kundër VLEN-it dhe posaçërisht kundër Bilall Kasamit. Levica hapur e pranon se është parti pro-ruse dhe anti-shqiptare qëllimi final i së cilës është të dobësojë faktorin shqiptar”.
“Vetë fakti që ajo vendosi të nxjerrë një kandidat në Tetovë, edhe pse pa asnjë shans për fitore, tregon qartazi se qëllimi ishte dëmtimi i Bilall Kasamit dhe pamundësimi i fitores së tij që në rrethin e parë, e që më pastaj në rrethin e dytë të luajë politika destruktive dhe nëpërmjet portaleve të tyre të shkaktojë manipulime dhe përçarje te shqiptarët”.
“Dhe përshtypja është se Levicës nuk i pengon vetëm VLEN-i apo Kasami, por asaj i pengon fryma e ndryshimit që ka filluar te shqiptarët. Sepse ndryshimi në kampin shqiptar nënkupton edhe dobësim të strukturave të vjetra që kanë mbajtur gjallë sistemin e vjetër e të kalbur politik, pjesë e së cilës është edhe vet Levica”, ka shkruar Nesimi.