Ankesat për zgjedhjet në Çashkë në fokus të KSHZ-së, banorët protestojnë para institucionit
Sot në Komisionin Shtetëror Zgjedhor pritet shqyrtimi i 5 ankesave të parashtruara për procesin e votimit në Komunën e Çashkës, të cilat janë dorëzuar nga VMRO-DPMNE dhe LSDM. Bëhet fjalë për dy ankesa për vendvotimet në Jabollçishtë të Epërme, një në Jabollçishtë të Poshtme dhe një tjetër në Mellnicë.
Sipas informacioneve, ankesa lidhen kryesisht me funksionimin e pajisjes biometrike, ndonëse, siç thuhet, të gjithë votuesit kanë figuruar në listën e printuar të zgjedhësve.
Ndërkohë, para objektit të KSHZ-së po protestojnë banorë të Çashkës, të cilët kërkojnë që – siç theksojnë – të mos manipulohet me vullnetin e qytetarëve.
Kandidati i AKI-së, Suat Shaqiri, fitues në rreth të parë, shpreh dyshime se ankesat janë motivuar në baza etnike.
Rezultatet kontestohen edhe në 10 komuna të tjera
Çashka është vetëm njëra ndër 11 komunat ku janë parashtruar ankesa pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale. Në këtë listë përfshihen edhe Haraçina, Buteli dhe Çairi, ndërsa rezultatet ende nuk janë zyrtarizuar në Bogdancë, Bosilovë, Veles, Gazi Babë, Krivogjashtan, Prilep dhe Resnjë.
Në total janë dorëzuar 57 ankesa, prej të cilave:
-
37 lidhen me numërimin e votave
-
pjesa tjetër me parregullsi të supozuara gjatë procesit të votimit
Vendimi final mbi këto raste pritet të merret nga KSHZ, ndërsa në rast ankese të mëtejshme, fjala e fundit do t’i takojë Gjykatës Administrative./VOXAL/