Kallëzim ndaj ish-drejtoreshës së konviktit “Mirka Ginova” në Manastir për keqpërdorim të detyrës
Prokuroria Themelore Publike e Manastirit ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtoreshës së Konviktit Shtetëror të Nxënësve “Mirka Ginova”, e cila akuzohet për disa vepra penale të kryera në vazhdimësi: keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve, falsifikim dokumentesh, si dhe dy vepra të tjera sipas Ligjit për transformimin e marrëdhënieve të punës në marrëdhënie të rregullt pune.
Sipas akuzës, gjatë viteve 2022 dhe 2023, e pandehura ka mundësuar që një punonjës të përfitojë pagesë të pajustifikuar për pushim vjetor të pashfrytëzuar, dhe pas pensionimit të tij, i ka vazhduar pagesat për dieta dhe udhëtime të rrejshme zyrtare, duke i shkaktuar konviktit dëm prej rreth 140 mijë denarësh( rreth 2200 euro).
Ajo dyshohet gjithashtu se i ka shpërdoruar kompetencat, duke i rimbursuar vetes 8.176 denarë për shpenzime të pajustifikuara gjatë udhëtimeve zyrtare në Serbi dhe Hungari.
“Poashtu, në kundërshtim me Ligjin për prokurime publike, e akuzuara nuk ka zhvilluar procedurë ligjore për furnizime, por ka lidhur kontratë të drejtpërdrejtë për shërbime kontabiliteti, duke i sjellë kompanisë përfituese përfitim të paligjshëm prej 180 mijë denarësh(afro 3 mijë euro)”, njoftojnë nga Prokuroria.
Në periudhën 2021–2023, ajo ka tejkaluar numrin e lejuar të punonjësve me kontrata në vepër, duke angazhuar më shumë se tre persona pa pëlqimin e Ministrisë së Financave dhe duke paguar rreth 390 mijë denarë (6340 euro) nga buxheti i institucionit. Nga viti 2021 deri në 2024, ka vazhduar të punësojë persona me kontrata afatgjata, mbi kufirin ligjor prej 24 muajsh, duke u paguar atyre 712 mijë denarë(11 500 euro).
“Për veprën e falsifikimit të dokumenteve, ish-drejtoresha akuzohet se ka përpiluar urdhëresa të rrejshme udhëtimi për të justifikuar mungesën nga puna, duke pretenduar se udhëtonte brenda Maqedonisë, ndërsa në realitet ajo dilte jashtë vendit përmes pikave kufitare Mexhitlija, Qafë Thanë dhe Novo Sellë. Këto raste janë konstatuar në nëntë raste gjatë vitit 2022”, njoftojnë nga Prokuroria më tej.
Në vitin 2024, ajo ka ndërhyrë edhe në një procesverbal të Bordit Drejtues të konviktit, duke ndryshuar përmbajtjen e faqes së tretë me qëllim që të fshehë të dhënat për udhëtimet zyrtare. Prokuroria ka dorëzuar aktakuzën në Gjykatën kompetente, ndërsa pritet caktimi i seancës gjyqësore.