Kasami: Stadiumi i qytetit po bëhet realitet, do të investohen 16 milionë euro në sport
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, sot ka inspektuar punimet për ndërtimin e Stadiumit të qytetit, ku aktualisht po punohet me intensitet në ngritjen e tribunës së parë.
Para mediave, Kasami tha se projekti po ecën sipas planit dhe se shumë shpejt do të vendoset gurthemeli i tribunës anësore.
“Aty ku dikur kishim një stadium të harruar, sot po ndërtohet një arenë moderne sipas standardeve evropiane. Punohet intensivisht për tribunën e re përballë asaj kryesore, ndërsa së shpejti vihet gurthemeli edhe i tribunës anësore. Stadiumi po bëhet realitet! Ky është vetëm fillimi”, deklaroi Kasami.
Kreu i komunës njoftoi gjithashtu se në mandatin e tij të dytë planifikon të investojë 16 milionë euro në fushën e sportit, duke përfshirë një sërë projektesh infrastrukturore.
Sipas tij, në “Kapitullin e Dytë” do të ndërtohen:
- një Qendër moderne sportive me dy fusha futbolli (një me bar natyral dhe një me bar artificial) dhe tribuna bashkëkohore për tifozët;
- një terrien multifunksional sportiv për të rinjtë;
- objekti ndihmës për ekipet tetovare të futbollit, i cili do të përmbushë standardet e Federatës së Futbollit të Maqedonisë;
- stadium i ri në fshatin Saraqinë;
- si dhe gjashtë salla të reja sportive në shkollat fillore “Naim Frashëri”, “Rilindja” (Sellcë), “Bratsvo–Migjeni”, “Istikball”, “Kirili dhe Metodi” dhe “Skënderbeu” (Xhepçisht).
Në fund të reagimit të tij në Facebook, Kasami theksoi se “Tetova po rilind me vepra, jo me fjalë”, duke shtuar:
“Koha e dembelisë dhe korrupsionit ka mbaruar, tani është koha e punës dhe e zhvillimit.”