Policia njofton për rastet e dyshuara të parregullsive gjatë votimit
Në ditën e zgjedhjeve lokale në Kosovë, më 12 tetor 2025, janë raportuar disa raste të dyshuara për manipulime me vota në disa komuna të vendit. Sipas Policisë së Kosovës, incidentet përfshijnë ryshfet, cenim të fshehtësisë së votimit dhe veprime që mund të ndikojnë në përcaktimin e lirë të votuesve.
Në Graçanicë, një mashkull kosovar është arrestuar nën dyshimin se kishte fotografuar fletën e votimit. “Ai ka deklaruar se për këtë veprim i ishin ofruar 50 euro. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia në raporrtin 24 orës.
Në Kllokot, Policia njofton se një femër kosovare është intervistuar nën dyshimin se ka lëshuar raporte mjekësore për të mundësuar asistencë gjatë procesit të votimit. Dyshohet se me këtë veprim ka ndikuar në përcaktimin e votuesve. Rasti është në procedurë të rregullt dhe veprimet hetimore janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.
Ndërsa në Prizren, dy meshkuj kosovarë janë shoqëruar në stacionin policor pasi dyshohet se njëri kishte dhënë dhe tjetri kishte pranuar 120 euro për të ndikuar votimin në favor të një kandidati. Bëhet e ditur se pas intervistimit, të dy janë liruar dhe rasti po trajtohet në procedurë të rregullt.
Po ashtu në Istog, një mashkull është arrestuar pasi dyshohet se ka marrë 10 euro në këmbim të votës për një kandidat të caktuar. “Ai është liruar me vendim të prokurorit, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregull, thuhet në njoftim.
Edhe në Mitrovicë, një tjetër mashkull është arrestuar pasi dyshohet se ka fotografuar votën e tij, duke cenuar fshehtësinë e votimit. Pas intervistimit, ai është liruar dhe rasti po trajtohet në mënyrë të rregullt.