Banda maqedono-bullgare e përfshirë në kontrabandën e veturave luksoze në Maqedoni
Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur procedurë ndaj tre personave për veprat penale “Kontrabandë” dhe “Falsifikim dokumentesh”.
Bëhet fjalë për të dyshuar që janë pjesë e një skeme më të gjerë të kontrabandimit të veturave luksoze nga jashtë përmes falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe të tjera.
Disa nga pjesëmarrësit në këtë skemë janë tashmë të dënuar, ndaj disa të tjerë janë ngritur aktakuza, ndërsa për disa persona – shtetas bullgarë – procedura penale është lënë në kompetencë të Republikës së Bullgarisë.
Gjatë një aksioni të zhvilluar dje, nën koordinimin e prokurorit publik, janë siguruar prova që krijojnë dyshim të bazuar se:
• I dyshuari i parë, në mars të vitit 2022, përmes pikës kufitare Deve Bair, ka organizuar kontrabandimin e një veture Toyota C-HR me vlerë 22.500 euro, e cila ishte në kërkim ndërkombëtar. Ai kishte përdorur targa dhe dokumente të falsifikuara, me të cilat kishte arritur ta regjistronte veturën dhe të nxirrte leje qarkullimi.
• E dyshuara e dytë, në gusht të vitit 2021, kishte nxitur dy shtetas bullgarë të kontrabandonin një Lexus NH300H me vlerë 15.000 euro, gjithashtu në kërkim ndërkombëtar. Ajo kishte marrë veturën me kontratë fiktive blerjeje, dhe më pas kishte siguruar dokumente dhe targa të rreme bullgare për ta regjistruar në vend.
• I dyshuari i tretë, menaxher i një kompanie, kishte futur në vend nga Bullgaria një Land Rover Range Rover Evoque me vlerë 17.340 euro, me numër shasie të ndryshuar, duke shmangur kontrollin doganor dhe duke siguruar dokumente tërësisht të falsifikuara për lejen e qarkullimit.
Gjithashtu, është hapur procedurë edhe ndaj dy zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), të cilët dyshohen se kanë përgatitur dhe lëshuar lejet e qarkullimit përmes dokumenteve të falsifikuara.
Për tre të dyshuarit për kontrabandë, prokurori kompetent ka paraqitur kërkesë për masë paraburgimi, ndërsa për njërin prej tyre që ndodhet jashtë shtetit, masa do të zbatohet menjëherë pas lokalizimit dhe arrestimit të tij.