Kasami premton ndërtimin e Sahat Kullës dhe një biblioteke moderne në Tetovë
Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka paralajmëruar ndërtimin e Sahat Kullës pranë Xhamisë së Sahatit në Tetovë, si dhe një biblioteke moderne për të rinjtë e qytetit.
“Një prej projekteve më të rëndësishme është ndërtimi i Sahat Kullës, këtu, në këtë lokacion, pranë xhamisë së Sahatit. Aty ku ka qenë Sahat Kulla e parë para disa shekujsh. Kështu Tetovës i rikthejmë identitetin e vet origjinal dhe e shtojmë një tjetër atraksion turistik ne qytetin tonë të pasur”, deklaroi Kasami.
Ai shtoi se projekti përfshin edhe ndërtimin e një biblioteke dhe leximore bashkëkohore, të pajisur me literaturë moderne, që do të shërbejë si hapësirë për zhvillimin dhe edukimin e të rinjve.
“Përveç kësaj, ndërtojmë edhe bibliotekë dhe leximore moderne në qytet të pajisur me literaturë bashkëkohore, si hapësira ku të rinjtë mund të mësojnë dhe të zhvillohen. Themelojmë qendrën kulturore komunale, themelojmë manifestime të reja kulturore dhe artistike, përkrahim krijuesit e rinj”, shtoi Kasami.