Franca e shtyu afatin për dorëzimin e sistemeve kundërajrore për RMV-në, Ministria e Mbrojtjes: S’mund të japim detaje
Sistemi i mbrojtjes kundërajrore që pritej të dorëzoheshin nga Franca në gjysmën e dytë të këtij viti, do të vonohet për disa muaj, konfirmoi për Portalb.mk Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut. Nga kjo Ministri, shtuan se marrëveshja me prodhuesin francez është në fazën përfundimtare të zbatimit, ndërsa po merren masa intensive për të plotësuar të gjitha parakushtet për përdorim operacional. Megjithatë, Ministria shtoi se nuk mund të japë më shumë detaje mbi marrëveshjen sepse është e natyrës së klasifikuar, shkruan Portalb.mk.
Sipas ministrisë, gjatë periudhës së kaluar janë mbajtur takime të rregullta me palën franceze për koordinimin e detyrimeve sipas marrëveshjes, por prodhuesi ka njoftuar se “do të ketë një vonesë në dorëzimin e këtij sistemi për disa muaj”.
“Lidhur me pyetjet tuaja, Ministria e Mbrojtjes ju informon se marrëveshja është në fazën përfundimtare të zbatimit dhe po merren masa intensive nga të dyja palët për të siguruar të gjitha parakushtet për përdorim operacional dhe funksionalitetin e pajisjeve. Në periudhën e kaluar, janë mbajtur takime të rregullta me prodhuesin francez, me qëllim koordinimin e aktiviteteve dhe detyrimeve të të dyja palëve sipas marrëveshjes. Nga ana e tyre, është treguar vetëm se do të ketë një vonesë në dorëzimin e këtij sistemi për disa muaj”, thuhet në përgjigje.
Ministria thekson se marrëveshja mbetet e natyrës së klasifikuar, prandaj edhe nuk mund të ndajë detaje, por siguron se “i respekton dhe i zbaton plotësisht të gjitha dispozitat e marrëveshjes me qëllim mbrojtjen e interesave të ministrisë dhe shtetit”.
“Ministria e Mbrojtjes i respekton dhe i zbaton plotësisht të gjitha dispozitat e marrëveshjes me qëllim mbrojtjen e interesave të ministrisë dhe shtetit. Nuk mund t’ju ofrojmë informacione më të hollësishme në lidhje me marrëveshjen, duke marrë parasysh se marrëveshja është e natyrës së klasifikuar.
Ministria e Mbrojtjes mbetet e përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që nënkuptojnë forcimin, përmirësimin dhe modernizimin e Ushtrisë Maqedonase me pajisje dhe armatim të pajtueshëm me Aleancën”,thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Ky zhvillim vjen pas njoftimeve të mëhershme se sistemi i mbrojtjes kundërajrore, që përfshin pajisje të përputhshme me standardet e NATO-s, do të dorëzohej në gjysmën e dytë të këtij viti. Tashmë mbetet e paqartë kur saktësisht do të ndodhë dorëzimi, pasi siç duket as vendi nuk ka marrë datë nga pala franceze.