Mickoski: Pa garanci nuk më shkon ndërmend për ndryshime kushtetuese
Kryeministri Hristijan Mickoski sot deklaroi se pa garanci të qarta nuk mund të flitet për ndryshime kushtetuese, duke theksuar se pozita e qeverisë është e palëkundur. Ai kujtoi se obligimet e pranuara nga qeveria e mëparshme e LSDM-së mbeten në fuqi, por shtoi se nuk sheh gatishmëri nga pala bullgare për të respektuar detyrimet e saj.
“Pozita jonë është e qartë. Nuk i injorojmë obligimet që qeveria e mëparshme i pranoi, por nuk shohim që fqinji lindor po ndërmerr hapa për përmbushjen e tyre. Presim veprime më të fuqishme nga BE-ja dhe nga Bullgaria, sepse kemi parë shumë herë në të kaluarën – kur ka pasur vullnet, gjithçka ka qenë e mundur”, theksoi Mickoski.
Ai nënvizoi se për të ekzistojnë vetëm “linjat e kuqe të Maqedonisë” dhe se për rezolutën e LSDM-së do të deklarohet pas zgjedhjeve lokale.
Duke folur për të drejtat e maqedonasve në Bullgari, Mickoski tha se Sofja duhet të zbatojë aktgjykimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, të cilat mundësojnë funksionimin e shoqatës OMO Ilinden – Pirin. Sipas tij, kjo do t’u siguronte maqedonasve të drejtën e përfaqësimit në Këshillin ministror për pakicat në Bullgari, njësoj si hebrenjtë, armenët, turqit apo romët.
“Vetëm duhet të zbatojnë atë që ka vendosur Gjykata në Strasburg. Asgjë më shumë nuk kërkojmë. Këto janë të gjitha fakte. Kur të shohim gatishmëri nga pala tjetër, edhe ne do të ulemi dhe do të bisedojmë”, u shpreh Mickoski.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e Rezolutës së korrikut të vitit 2022, e miratuar me 95 vota në Parlament, duke shtuar se qëndrimi i qeverisë ndaj saj do të bëhet publik pas zgjedhjeve.