Nesër dhe pasnesër pulmologët do të bëjnë skrining në Trubarevë
Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Klinikën e Pulmologjisë, ka njoftuar se gjatë dy ditëve të ardhshme do të realizohet skrining në fshatin Trubarevë dhe zonat përreth. Qëllimi i këtij skriningu është zbulimi në kohë i shenjave apo simptomave që mund të tregojnë për sëmundje të sistemit respirator tek banorët. Procesi do të kryhet nga dy ekipe të Klinikës së Pulmologjisë. Skriningu vjen pas zjarrit në depon e mbetjeve elektronike.
“Të gjithë qytetarët që jetojnë në këtë pjesë, nëse mendojnë se kanë nevojë për ekzaminim shëndetësor të paraqiten në këtë skrining, me çka pas ekzaminimit mjekët do të shohin a do të kenë nevojë të vazhdojnë me procese të ekzaminimit shëndetësor këtu brenda në Klinikë”, deklaroi Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.
Dy ekipe do ti vizitojnë të gjithë qytetarët në Trubarevë dhe do të kryejnë analizat fillestare. Varësisht prej rezultateve do të drejtohen në Klinikën e Pulmologjisë.