Kërkoi para, pastaj sulmoi nënën, 40-vjeçari përfundon nën hetim
Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nisur procedurë kundër një 40-vjeçari nga Shkupi, i dyshuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” sipas nenit 130 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Sipas prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 21 shtator në oborrin e shtëpisë familjare në rrugën “Slavejko Arsov” në Shkup. I dyshuari fillimisht me ton të lartë ka kërkuar para nga prindërit e tij. Babai menjëherë ka lënë oborrin, ndërsa nëna ka mbetur dhe është ekspozuar ndaj fyerjeve të rënda.
Më pas, i dyshuari e ka sulmuar fizikisht. “Ka filluar ta tërheq me duar për t’ia marrë telefonin, e ka shtyrë në tokë dhe ka filluar ta shtrëngojë për fyti,” informojnë nga prokuroria. Gruaja ka arritur të largohet anash, por djali ka vazhduar me sjellje të dhunshme, duke thyer saksi dhe objekte në oborr.