Mjekia Peshevska dënohet me dy vjet burg me kusht për “Onkologjinë”
Mjekja Meri Peshevska është dënuar me dy vjet burg me kusht në rastin “Onkologjia”, për veprën penale “vepra të rënda kundër shëndetit të njeriut”. Dënimi nuk do të zbatohet nëse ajo nuk kryen vepër tjetër penale gjatë pesë viteve të ardhshme.
Gjykatësja e lëndës, Snezhana Markovska, duke arsyetuar vendimin, theksoi se Peshevska e ka kryer veprën nga pakujdesia, ka pranuar fajin dhe ka shfaqur pendim. Sipas saj, fakti që e akuzuara ia ka lënë në dispozicion vulën katrore, emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin nga sistemi HIS një onkologu dhe radioterapisti tjetër, gjë që më pas është përdorur për kryerjen e veprës, është marrë si rrethanë lehtësuese.
Përmes këtyre veprimeve, Peshevska i ka mundësuar mjekut dhe ish-drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev, të përshkruajë terapi të papërshtatshme, çka e ka përkeqësuar ndjeshëm gjendjen e shtatë pacientëve. Në seancën e parë dëgjimore, ajo e pranoi fajësinë dhe në fjalën përfundimtare theksoi se veproi nga pakujdesia, duke u mbështetur tek kolegët pa dyshuar në qëllimet e tyre të mundshme të pandershme.
Ndryshe nga Peshevska, Nino Vasev dhe dy onkologë të tjerë e kanë mohuar fajin, ndërsa gjykimi ndaj tyre vazhdon. Aktakuza i ngarkon me “vepra të rënda të vazhdueshme kundër shëndetit të njeriut” dhe “trajtim të pakujdesshëm”, pasi te 29 pacientë është zbatuar terapi e papërshtatshme, me lëshime në dozim dhe pa vlerësim adekuat të gjendjes shëndetësore.
Për Peshevskën, pas pranimit të fajësisë, u zhvillua procedurë e veçantë dhe, përveç dënimit me kusht, ajo është e detyruar të paguajë shpenzimet gjyqësore. Kërkesat pronësore-juridike të familjarëve të pacientëve do të shqyrtohen në procedurë civile.