90 ankesa për shëndetësinë – më së shumti ankohen shkupjanët, për vonesa dhe rezultate
Ministria e Shëndetësisë ka pranuar 90 ankesa nga qytetarët të cilët janë ankuar për funksionimin e sistemit shëndetësor. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, njoftoi sot se në platformën e re për raportimin e parregullsive, deri tani janë dorëzuar 90 ankesa.
“Brenda logjikës së re që po ndërtojmë në sistemin shëndetësor – një logjikë e transparencës dhe llogaridhënies – tashmë funksionon aktivisht mjeti për raportimin e parregullsive, përmes së cilit qytetarët mund të raportojnë drejtpërdrejt problemet në sistem. Deri tani janë regjistruar 90 ankesa, më së shumti nga Shkupi, ndërsa më të shpeshtat janë për vonesa të rezultateve, vonesa në ekzaminime dhe angazhime të mjekëve si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Por më e rëndësishmja është se këto raportime nuk mbeten në sirtar – secila shqyrtohet nga një grup pune i veçantë me qëllim që të ketë reagim institucional. Ky është një mesazh i qartë politik: koha kur problemet në shëndetësi injoroheshin ka përfunduar. Tani qytetarët kanë zë – dhe ai zë do të dëgjohet”, premton Aliu.
Ai shtoi se deri tani grupet e punës kanë shqyrtuar rreth 60 nga ankesat e pranuara, dhe në asnjërën prej tyre nuk është raportuar se pacientëve u është kërkuar ryshfet. Për dy raste është vlerësuar se ka indikacione për veprim të mëtejshëm.
“Kjo do të thotë se me ato informacione do të ulemi bashkë me institucionet përkatëse për të shpjeguar proceset dhe arsyet pse ndodhin. Nuk bëhet fjalë për indikacione të abuzimeve financiare, por më tepër për mungesë të optimizimit të shërbimeve në institucionet përkatëse, pritje të gjata për të marrë shërbime, apo më saktë, keqpërdorim të radhës që qytetarët presin të respektohet. Vjen me kohë, por shërbimin e merr pas dy-tri orësh”, tha ministri Aliu.
Ai gjithashtu paralajmëroi se në spitalet e Shtipit, Tetovës dhe Tërçevës do të investohen 205 milionë euro, me ç’rast pritet përmirësim i ndjeshëm i sistemit shëndetësor.