58% e institucioneve në RMV fshehin të dhënat për veturat zyrtare
Vetëm 42% e institucioneve kanë dorëzuar të dhëna për automjetet zyrtare para zgjedhjeve lokale të vitit 2025, njoftoi Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK). Nga gjithsej 1,514 institucione të obliguara, 635 kanë dorëzuar të dhëna, ndërsa 879 institucione (58%) nuk e kanë bërë këtë.
Nga institucionet që kanë dorëzuar të dhëna, 63% e bënë këtë brenda afatit ligjor dhe raportuan gjithsej 4,079 automjete, ndërsa 232 institucione dorëzuan me vonesë të dhëna për 2,558 automjete. Në Regjistrin e Automjeteve figurojnë gjithsej 6,637 automjete, prej të cilave 5,456 janë në gjendje të mirë për qarkullim, 1,003 jashtë funksioni, ndërsa për 178 automjete mungojnë të dhënat mbi gjendjen.
KSHPK thekson se ka mospërputhje të konsiderueshme mes të dhënave të dorëzuara nga institucionet dhe atyre të Ministrisë së Punëve të Brendshme, përfshirë raste kur disa institucione kanë raportuar automjete që nuk figurojnë në MPB.
Komisioni publikoi listën e institucioneve që nuk kanë dorëzuar të dhëna, si dhe një përmbledhje të automjeteve të raportuara. Ky hap synon të rrisë transparencën dhe të parandalojë keqpërdorimin e makinave zyrtare gjatë fushatës zgjedhore.