561 kompani që morën grant për biznes nga shteti në vitin 2014 falimentuan
Një analizë e granteve apo mjeteve të pakthyeshme për të hapur biznes si formë për të luftuar papunësinë në Maqedoninë e Veriut në dhjetë vitet e fundit, nxjerr në sipërfaqe të dhëna se nga ky projekt ende shumë biznese po falimentojnë. Pavarësisht se shifrat ndryshojnë nga viti në vit, në dhjetë vitet e fundit më alarmuese ka qenë 2014-ta kur madje 561 kompani që kishin marrë ndihmë financiare nga shteti për biznesin kishin falimentuar. Arsyet nuk janë analizuar por kjo çon deri tek pyetjet legjitime, se çfarë mund të bëhet më mirë për të patur më shumë sukses në shfrytëzimin dhe jetëgjatësinë e këtyre bizneseve.
Në vitin 2015 niveli i falimentimit është 50.69%, në 2016 – 52.55%, ndërsa në vitet 2020 dhe 2021 bie në 18.96% dhe 17%, por në vitin 2021 poashtu vërehet edhe një fakt tjetër se bizneset që janë hapur në po këtë vit kanë dështuar menjëherë, dhe ky e dimë që ka qenë fundi i pandemisë së Kovid-19 por nuk ka një sqarim të qartë nga institucionet nëse kjo është arsyeja direkte e dështimit. Pra, nga numri total i bizneseve të krijuara nëpërmjet granteve për vetëpunsim në 10 vitet e fundit, 74.10% e tyre janë aktive, 24.95% janë mbyllur, 0.68% janë në procedur të mbylljes dhe 0.28% janë para mbylljes.

Në analizën e Institutit IDEA shfaqen të dhënat edhe për shpërndarjen etnike të përfituesve ku duket se 63.46% janëcmaqedonas, 31.64% shqiptarë dhe 4.90% janë të etnive apo pakicave tjera.
Veprimtaritë më të shpeshta për çka ka dhënë grant Agjencia për Punësim janë sallonet e bukurisë, mirëmbajtja dhe riparimi i mjeteve motorike, dhe gastronomia, të cilat përbëjnë 21.5% të granteve.

Për të patur një shfrytëzim më të mirë të këtij mekanizmi shtetëror, Instituti ka rekomanduar më shumë monitorim,mbështetje e komunikim i vazhdueshëm për bizneset.
Por, Qeveria e RMV-së ka paraparë një plan të ri operativ për të punësuar të rinjtë që parashikon 10 mijë euro financim për biznes të hapur nga një i ri që ka një fond prej 40 milionë eurosh.
Plani do të përfshijë 16.507 qytetarë përmes masave të drejtpërdrejta për punësim, vetëpunësim dhe trajnime në përputhje me nevojat e tregut të punës. Plani i Qeverisë është që ky projekt të nxjerrë rezultatet e para në pesë vite.