55 vërejtjet e UNT-së për ligjet e Arsimit të Lartë: kundërshtohen kriteret e emërimit dhe publikimet shkencore pa mbështetje
Universiteti “Nënë Tereza” ka dalë me 55 vërejtje për tre projektligjet e reja në arsimin e lartë dhe veprimtarinë shkencore, duke paralajmëruar se disa nga zgjidhjet e propozuara nuk janë vetëm të diskutueshme, por mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta për profesorët, hulumtuesit dhe studentët. Në qendër të reagimit janë dy çështje shumë të ndjeshme: humbja automatike e vendit të punës në rast të mosrizgjedhjes dhe kërkesa për publikime shkencore pa mbështetje reale financiare, raporton VOXAL.
Në raportin e UNT-së, një nga vërejtjet më të forta ka të bëjë me nenin që parashikon humbjen automatike të vendit të punës pas mosrizgjedhjes. Universiteti vlerëson se kjo masë është shumë e rëndë, krijon pasiguri dhe frikë te stafi akademik dhe nuk i jep hapësirë askujt për përmirësim, zhvillim profesional apo mbrojtje juridike. Në vend të largimit të menjëhershëm, UNT propozon një qasje me hapa: plan individual për zhvillim, rivlerësim, mundësi për ndryshim të pozitës dhe vetëm në fund, nëse asnjë masë nuk jep rezultat, të shqyrtohet ndërprerja e marrëdhënies së punës.
Po aq problematike, sipas universitetit, është edhe logjika me të cilën projektligjet kërkojnë nga profesorët dhe hulumtuesit të publikojnë punime shkencore, ndërsa sistemi nuk u garanton mjete të mjaftueshme për kërkim. Në raport thuhet qartë se ligji nuk mund të kërkojë rezultate shkencore, nëse vetë nuk siguron kushte për t’i arritur ato. UNT propozon që çdo institucion të ketë fond të veçantë për kërkim shkencor, në mënyrë që publikimet të mos mbeten barrë personale e stafit universitar dhe të mos paguhen nga koha dhe xhepi i vetë profesorëve, sidomos i kuadrit të ri.
Universiteti ngre shqetësim edhe për kriteret që, sipas tij, janë shumë të ngurta dhe nuk i marrin parasysh dallimet mes fushave shkencore. Në dokument kundërshtohet vendosja direkte në ligj e treguesve si WoS, Scopus, ARWU, h-indeksi dhe faktori i ndikimit, me arsyetimin se nuk mund të maten me të njëjtin metër fizika, mjekësia, juridiku, historia apo artet. Sipas UNT-së, kjo qasje rrezikon të dëmtojë sidomos shkencat humane, juridike dhe artistike.
Një tjetër pikë e rëndësishme është kundërshtimi i kushtëzimit të doktoraturës dhe partneriteteve akademike me rang-listën ARWU top-500. UNT vlerëson se një kriter i tillë përjashton padrejtësisht institucione me reputacion të lartë ndërkombëtar, vetëm pse nuk ndodhen në atë listë, dhe propozon që vendimtare të jenë standardet e njohura të akreditimit dhe cilësisë, e jo renditja në lista komerciale.
Në të njëjtën kohë, universiteti kërkon më shumë autonomi për institucionet e arsimit të lartë, duke propozuar që ministria të mos japë miratim paraprak për statutet, programet dhe vendimet universitare, por vetëm të njoftohet për to. Po ashtu, kundërshtohet e drejta e ministrit për t’i shfuqizuar aktet e universiteteve dhe të agjencive, me arsyetimin se kontrolli i ligjshmërisë duhet të mbetet te gjykata.
UNT thekson se këto 55 vërejtje janë shqyrtuar dhe miratuar nga Rektorati dhe Senati, ndërsa më pas janë dorëzuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Mesazhi i universitetit është se reforma në arsimin e lartë është e nevojshme, por jo me zgjidhje që mund të lënë profesorë pa punë, të dekurajojnë kërkimin shkencor dhe të krijojnë më shumë presion sesa cilësi në universitete./VOXAL/